TRANSPARENCA

Programi i transparencës së Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), bazohet në nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Për strukturën e programit të transparencës është mbajtur në konsideratë urdhri nr. 14 datë 22.01.2015, lidhja 1, i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, si organi kontrollues i autoriteteve publike për zbatimin e ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Gjithashtu, ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së QPKMR, në kuadër të ligjit nr.119/2014 “Për të drejtën e informimit”. Dokumentacioni i bërë publik do të jetë i përditësuar në formë e në përmbajtje. Faqja zyrtare e QPKMR është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm. Në rubrikat e faqes zyrtare pasqyrohen edhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënave personale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve/subjekteve të të dhënave, etj. Skema e publikimit paraqitet nëpërmjet tabelës përmbledhëse të evidentuar në program.

Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së Qendrës, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të saj në faqen zyrtare https://qpkmr.gov.al si dhe në mjediset e pritjes së publikut. Programi i transparencës pasqyron në rubrikat përkatëse informacionin për tu bërë publik, afatet për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike si dhe strukturën përkatëse e cila prodhon ose administron dokumentin. Në përmbajte të programit të transparencës evidentohet skema e publikimit, e cila pasqyron menutë ku çdo dokument është i aksesueshëm në skemë.

Dokumentacioni i bërë publik do të jetë i përditësuar në formë e përmbajtje. Faqja zyrtare e QPKMR është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm. Në rubrikat e faqes zyrtare pasqyrohen edhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënave personale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve/subjekteve të të dhënave, etj. Skema e publikimit paraqitet nëpërmjet tabelës përmbledhëse të evidentuar në programin e transparencës.

PARIME TË PËRGJITHSHME

Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi Transparencës së Qendrës janë:

PARIMI 1

“E drejta për informim”, një e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, që i garantohet pa asnjë dallim të gjithë individëve.

PARIMI 2

Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave: Qendra ushtron funksione publike, për rrjedhojë informacioni që rrjedh nga veprimtaria e saj publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.

PARIMI 3

Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e Qendrës dhe përkatësisht: Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur dhe VKM Nr. 314, datë 15.05.2019 “Për Organizimin, funksionimin si dhe përcaktimin e rregullave specifike lidhur me strukturën dhe organikën e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve”.

PARIMI 4

Informacioni publikohet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.

PARIMI 5

Organ mbikëqyrës i procedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

PARIMI 6

Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

PARIMI 7

Informacioni publik i ofruar nga Qendra pa kërkesë duhet të jetë i plotë, i saktë, i përditësuar, i thjeshtë në konsultim, i kuptueshëm, lehtësisht i aksesueshëm dhe në përputhje me dokumentet në administrim të Qendrës.