TAKIM INFORMUES ME NXËNËS DHE MËSUES TË SHKOLLËS SË MESME “ASIM ZENELI” NË GJIROKASTËR

Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve mori pjesë në takimin informues me nxënës dhe mësues të shkollës së mesme “Asim Zeneli” në Gjirokastër, i cili u zhvillua më datë 10 Qershor 2021 nga Ministria e Drejtësisë, UNICEF Albania dhe Qendra ALTRI me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Gjatë këtij takimi, fëmijët u njohën me të drejtat e tyre në sistemin e drejtësisë penale dhe me parimet e drejtësisë miqësore dhe restauruese. Nxënësit diskutuan dhe dhanë shembuj të sjelljes dhe trajtimit të drejtë si dhe morën pjesë aktivisht në lojërat që ilustronin se çfarë është vepra penale dhe përparësia e masave të shmangies me qëllim rehabilitimin e fëmijëve në konflikt me ligjin. Në përfundim të takimit fëmijët krijuan postera me mesazhe ndërgjegjësuese për bashkëmoshatarët e tyre. Gjatë takimit përfaqësueset e QPKMR ndanë me fëmijët informacionin mbi veprimtarinë e QPKMR si dhe mbi programet parandaluese, rehabilituese dhe riintegruese që po hartohen nga Qendra.