Statistika më të mira – Përmirësim i politikave në fushën e drejtësisë penale për të mitur

Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe UNICEF kanë zhvilluar një sesion trajnimi dy ditor, në datat 28 – 29 korrik 2021, me përfaqësues të prokurorive të rretheve gjyqësore dhe atyre të apelit, mbi përdorimin online të Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Ministria e Drejtësisë u përfaqësua në këtë sesion trajnimi nga Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, ku znj. Brezeida Manofi ka mbajtur fjalën e hapjes dhe ka prezantuar agjendën e trajnimit për të pranishmit. Znj. Manofi ka vijuar më tej me prezantimin e Sistemit të Integruar të të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur, ngritja dhe funksionimi i të cilit është e parashikuar në dispozitat ligjore të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, ku u sqarua ndër të tjera edhe mënyra e organizimit, funksionimit, përdorimit dhe aksesimit të këtij sistemi, nga institucionet përgjegjëse si policia, prokuroria, gjykatat, shërbimi i provës dhe institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të mitur.

Sistemi i Integruar i të Dhënave të Drejtësisë Penale për të Mitur ka për qëllim:
a) mbledhjen e të dhënave dhe sistemimin e tyre, si dhe ndjekjen në kohë reale;
b) përmirësimin e aksesit në drejtësi të të miturve, subjekte të këtij Kodi, dhe miradministrimin e drejtësisë për të mitur;
c) koordinimin e përpjekjeve ndërinstitucionale, në mënyrë që të mundësohet ofrimi i zgjidhjeve
të menjëhershme për rastet kur të miturit i mohohet aksesi në drejtësi, është subjekt i abuzimeve ose shkeljeve të të drejtave të të miturit, ose nuk zbatohen garancitë procedurale të parashikuara nga legjislacioni në fuqi;
ç) unifikimin dhe kompjuterizimin e mbledhjes së të dhënave, me qëllim krijimin e një baze statistikore që ndihmon analizën dhe orientimin e përmirësimit të politikave në lidhje me drejtësinë penale për të mitur.

Pas këtij trajnimi praktik, edhe prokuroria i bashkohet institucioneve publike, që kanë filluar të hedhin informacione në këtë bazë të dhënash shtetërore, për të miturit në konflikt me ligjin, si dhe ata viktima e dëshmitarë të veprave penale.