Vazhdon puna për promovimin e U-Report për të fuqizuar zërin e të rinjve në vendimmarrje.
Në një prezantim të thjeshtë, pranë COD – Center For Openness And Dialogue, të rinjtë e shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, Tiranë kuptuan që ka një platformë U-Report për t’i ndihmuar të shprehin mendimet e tyre për çështjet që i shqetësojnë më shumë ata.
Përveç njohjes me këtë platformë, të rinjtë mësuan mbi drejtësinë miqësore për fëmijët, por edhe si të shmangin përfshirjen e tyre në vepra penale apo viktimizimin e tyre nga krimi.
Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve ndau me të rinjtë punën e palodhur të stafit të Qendrës që udhëton qytet më qytet për të ofruar edukim ligjor në të gjitha institucionet arsimore dhe për të mbështetur ri-integrimin në shoqëri të fëmijëve në konflikt me ligjin.
Kjo nismë e përbashkët e UNICEF Albania, Qendrës për Hapje dhe Dialog dhe QPKMR-së, shërben për të informuar fëmijët me të drejtat që ata kanë në rast se bien në konflikt me ligjin apo janë viktima a dëshmitarë të krimit.
Duke ndjekur politika rishoqërizuese, jo diskriminuese dhe larg paragjykimeve, të gjithë së bashku mund t’i hapim rrugën të miturve dhe të rinjve drejt një të ardhmeje larg krimit.





