Një ditë kushtuar Drejtësisë për të Mitur , ku institucione, mësues, të rritur, fëmijë bashkohen njëzëri ‘Drejtësia është miqësore me ty’.
U zhvillua sot në Pukë veprimtaria me titull ‘Për një zbatim gjithëpërfshirës të Drejtësisë për të Mitur’, ku u nënshkrua marrëveshja shumëpalëshe mes Bashkisë Pukë, institucioneve ligjzbatuese, autoriteteve të drejtësisë dhe shërbim-ofruesve përgjegjës që veprojnë në Pukë për ngritjen e një mekanizmi vendor të bashkërendimit ndërinstitucional të punës për zbatimin e kornizës legjislative të drejtësisë miqësore ndaj fëmijëve.
Pjesëmarrësit u ftuan për një vizitë të shkurtër në mjediset e shkollës së mesme ‘Sabah Sinani’ ku nxënësit realizuan një vizatim mural i cili shpreh vizionin e tyre për drejtësinë miqësore me të miturit me titull ‘Drejtësia është miqësore me ty’.
Gjithashtu u vu në skenë shfaqja teatrale ‘Besmiri’ e cila kishte për synim sjelljen e vëmendjes së institucioneve dhe publikut më pranë sfidave dhe mundësive për të miturit në kontakt me ligjin.
Zëvendës Ministri i Drejtësisë gjeti rastin për të përshëndetur dhe falënderuar të gjithë aktorët e përfshirë për vëmendjen, punën impenjative, kontributin e deritanishëm dhe angazhimin në zbatim të Drejtësisë për të Mitur.