Drejtësia restauruese për të miturit, Ministria e Drejtësisë marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës.

Drejtësisë miqësore për të miturit si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Drejtësisë,ka nisur të marrë formë kur Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja ka firmosur një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës me kryetarin e saj z. Erion Veliaj.
Eshtë e para,nga një sërë marrëveshjesh që do të nënshkruhen edhe me Bashki të tjera,ku parashikohet realizimi në terren i mbikëqyrjes së masave alternative dhënë nga Gjykatat për të miturit në konflikt me ligjin .Pas marrëveshjes së sotme,Bashkia e Tiranës do të ofrojë tërësinë e shërbimeve të saj në qëndrat sociale, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë do të koordinojë menaxhimin e rasteve nëpërmjet dy institucionëve të saj të varësisë:
Shërbimit të Provës dhe Qendrës të Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve.
Gjatë fjalës së tij , Ministri i Drejtësisë tha se: “Fëmijët kanë nevojë për ndihmë e jo për ndëshkim.Ata janë objekt jashtëzakonisht i rëndësishëm i punës sonë të përditshme”. Duke iu referuar drejtësisë moderne ku është drejtuar vendi, z. Manja theksoi se “Kemi nisur zbatimin e një proçesi të ri që u jep mundësi të miturve të mos u nënshtrohen proçeseve gjyqësore.
Masat alternative të shmangies do të jepen nga organet kompetente gjyqësore,të cilat në çdo rast do të mbajnë në konsideratë interesin më të lartë të të miturit,rrethanat e tij familjare, apo faktorë të tjerë ndikues” . Nga ana e tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj , shprehu kënaqësinë e vënies në dispozicion të resurseve të Bashkisë ,pasi fëmijët , të miturit, të rinjtë , meritojnë gjithmonë një shans të dytë për gabimet,apo rebelimet e tyre.