Fuqizimi i Drejtësisë për të Miturit! Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, zhvilluam aktivitetin e veçantë për forcimin e reformës në drejtësinë për të mitur, në bashkëpunim me Ambasadën e Francës në Shqipëri dhe Organizatën për Zhvillim të Qëndrueshëm të Shqipërisë (ASDO). Aktiviteti u pasurua me pjesëmarrjen e disa panelistëve dhe ekspertëve nga Shqipëria dhe Franca, figura kyçe që kontribuojnë drejtpërdrejtë në drejtësinë për të mitur, të cilët ndanë përvojat dhe metodat e tyre për rehabilitimin dhe riintegrimin e të miturve në konflikt me ligjin, duke përfshirë: Sh.S. Catherine Suard, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe znj. Klaudia Hasanllari, Drejtoreshë e QPKMR, e cila ndau përvojën e Qendrës në trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin. Po ashtu, znj. Sylvie Le Blavec nga Shkolla Kombëtare për Mbrojtjen Ligjore të të Miturve në Francë, ndihmoi me një pasqyrë të metodologjive edukative dhe rehabilituese, ndërkohë që z. Klajd Karameta, Zëvendësministër i Drejtësisë, dhe z. Klevis Qose, Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, kontribuuan me perspektiva të reja për përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të mitur. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe nxënës të shkollave, të cilët ndanë mendimet dhe perspektivat e tyre mbi drejtësinë dhe përfshirjen sociale, të cilët shijuan dhe një film lidhur me temën.