Garancia Rinore në Tiranë, edhe për Fëmijët në Konflikt me Ligjin

“Garancia Rinore”, programi më i madh i mbështetjes për të rinjtë në Shqipëri, i financuar nga Bashkimi Europian, implementuar nga Zyra e Punës Tiranë, përfshin edhe kategorinë e të miturve në konflikt me ligjin.
Nënshkrimi i marrëveshjes mes Zyrës së Punës Tiranë dhe Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) synon një angazhim konkret për t’u ofruar të miturve që kanë pasur probleme me ligjin një shans të dytë, duke i ndihmuar të largohen nga sjelljet kundraligjshme dhe të ndërtojnë një të ardhme më të sigurt përmes arsimit, formimit profesional dhe punësimit.

Çfarë Mundësish Ofron “Garancia Rinore”?

Të rinjtë që bëhen pjesë e këtij programi do të përfitojnë një sërë mundësish që synojnë zhvillimin e tyre personal dhe profesional, duke përfshirë:
• Referimin drejt institucioneve arsimore, si shkolla të mesme të përgjithshme, profesionale apo universitete, për të vazhduar ose rifilluar arsimin.
• Zhvillimin e praktikave profesionale, duke u angazhuar në përvoja konkrete pune që i ndihmojnë të zhvillojnë aftësi praktike.
• Mundësi punësimi, në bashkëpunim me sektorin privat dhe publik, për të krijuar akses në tregun e punës.
• Kurset profesionale, që i ndihmojnë të rinjtë të mësojnë aftësi të reja dhe të specializohen në fusha të ndryshme.
• Programet e formimit nëpërmjet punës, që ndihmojnë në zhvillimin e aftësive të nevojshme për tregun e punës.
• Programet e punësimit dhe të nxënit në vendin e punës, për të lehtësuar kalimin nga arsimi në punësim aktiv.
• Vetëpunësimi, duke ofruar mbështetje për të rinjtë që dëshirojnë të nisin biznesin e tyre.

Sepse çdo i ri meriton një shans të dytë!