Në kuadër të Strategjisë Ndërsektorale të Drejtësisë për të Mitur, Qendra për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë (AKR) dhe Drejtorinë e Shërbimit të Provës Vlorë, organizoi në qytetin e Vlorës një tryezë ndërsektorale me përfaqësues të institucioneve në nivel lokal e qendror, me qëllim forcimin e bashkëpunimit për mbrojtjen dhe fuqizimin e të rinjve.
Në hapje të aktivitetit, z. Françesko Muçaj, drejtues i Shërbimit të Provës Vlorë, si institucion që punon çdo ditë në frymën e drejtësisë restauruese, ftoi të pranishmit dhe të rinjtë pjesëmarrës të reflektojnë mbi modelet dhe shembujt që secili prej nesh përfaqëson, si dhe mbi ndikimin që këto modele kanë tek brezi i ri.
Nga ana e saj, znj. Sara Bodo, Drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Rinisë theksoi angazhimin e saj maksimal dhe të AKR-së për fuqizimin e qendrave multidisiplinare dhe mbështetjen e nismave që informojnë, edukojnë dhe fuqizojnë të rinjtë përmes mekanizmave konkretë dhe bashkëpunimeve të qëndrueshme.
Ndërsa znj. Klaudia Hasanllari, Dejtoreshë e Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zbatimin e drejtësisë për të mitur, duke theksuar se QPKMR do të vazhdojë misionin e saj në drejtim të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve, si dhe ndërgjegjësimin e të rinjve dhe komunitetit për zbatimin e drejtësisë miqësore për fëmijët dhe të rinjtë.



