Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, organizoi sot një workshop me pjesëmarrjen e profesionistëve të QPKMR-së, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Shërbimit të Provës, në funksion të fuqizimit të kapaciteteve profesionale në fushën e drejtësisë për të miturit.
Aktiviteti u përshëndet nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, Znj. Elona Hoxha, e cila theksoi rëndësinë e drejtësisë restauruese, rehabilitimit dhe riintegrimit social të të miturve, si dhe nga Dr. Thomas Kunze, përfaqësues i Fondacionit Konrad Adenauer, i cili vlerësoi bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave ndërkombëtare.
Drejtoresha e QPKMR, Znj. Klaudia Hasanllari prezantoi zhvillimet e drejtësisë për të mitur në Shqipëri dhe rolin e qendrës, ndërsa ekspertët Dr. Katrin Nagler dhe Prof. Dr. Farrukh Mukhamedov ndanë praktika dhe modele ndërkombëtare mbi risocializimin, edukimin dhe rehabilitimin pas vuajtjes së dënimit.
Nisma do të vijojë me përfshirjen e studentëve, të cilët, së bashku me profesionistët, do të zhvillojnë kërkime në fushën e rehabilitimit social, duke lidhur dijen akademike me praktikën institucionale.
Sepse drejtësia nuk përfundon me ekzekutimin e dënimit, por me mundësinë për një fillim të ri.





