Parandalimi i dhunës dhe mbrojtja e të miturve gjatë protestave
Zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Hoxha, së bashku me Zëvendësministren e Arsimit, znj. Osmani, Zëvendësministren e Brendshme, znj. Ruseti, drejtuesen e QPKMR-së, znj. Hasanllari, dhe drejtuesen e ASHDMF-së, znj. Tandili, me mbështetjen e URF-së dhe Terre des hommes, zhvilluan një takim me oficerët e sigurisë dhe drejtuesit e gjimnazeve, lidhur me situatën shqetësuese të ditëve të fundit dhe përfshirjen e të miturve në akte dhune.
Gjatë takimit u prezantuan dy manuale informuese: “Ti, protesta dhe të drejtat e tua”, për informimin e të miturve mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre gjatë pjesëmarrjes në protesta, dhe “Kur një fëmijë merr pjesë në protestë”, për prindërit dhe të rriturit, veçanërisht në rastet kur një i mitur shoqërohet nga Policia. Manualet do t’u shpërndahen drejtorive arsimore dhe institucioneve të tjera që punojnë me të miturit. Drejtuesve të gjimnazeve dhe oficerëve të sigurisë iu bë thirrje të forcojnë komunikimin me prindërit dhe nxënësit, duke i ndërgjegjësuar për të drejtat, detyrimet ligjore dhe rëndësinë e pjesëmarrjes paqësore në protesta, si dhe parandalimin e çdo forme dhune.





