Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve (QPKMR) dhe Qendra për Formim dhe Zhvillim (CFD), nënshkruan sot në mjediset e Ministrisë së Drejtësisë një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim realizimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të rehabilitimit dhe riintegrimit të të miturve.
Sipas kësaj marrëveshjeje, dy institucionet ranë dakord:
1. Për të referuar pranë QPKMR raste të të miturve apo të të rinjve që janë evidentuar gjatë veprimtarisë së punës së CFD, të cilët kanë nevojë për mbështetje psiko-sociale, ligjore, shëndetësore etj., duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të të miturve/të rinjve.
2. Për të realizuar një studim në përfundim të projektit aktual që po zhvillohet “RIINTEGRIM vs PËRJASHTIM – Riintegrimi social i të Miturve “në konflikt me ligjin” dhe “ish të dënuar” në Bashkitë e Tiranës dhe Kamzës”, në muajin shtator 2022.
3. Për të ofruar ekspertizë në hartimin e planeve individuale të trajtimit dhe rishoqërizimit të të miturve apo të rinjve të trajtuar nga QPKMR; protokolleve të punës, apo ngritjes së kapaciteteve profesionale të punonjësve të QPKMR.
4. Për të organizuar takime apo aktivitete lidhur me edukimin ligjor, ku të sigurohet pjesëmarrja edhe e punonjësve të QPKMR, apo të mbështesë/asistojë QPKMR-në në aktivitete apo fushata sensibilizuese në bashkëpunim dhe me institucione të tjera.
5. Për të realizuar video promovuese në kuadër të parandalimit të kriminalitetit.
Znj. Hasanllari dhe Znj. Selita ndër të tjera ranë dakord për tu angazhuar në aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen në kuadër të Tirana Youth Capital duke përfshirë dhe të miturit pjesë e IM-Kavajës.