Aksesi i të miturve në drejtësi

Ministria e Drejtësisë, përmes Qendrës për Parandalimin e Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, organizoi në Durrës një takim ndërinstitucional me përfaqësues në nivel vendor dhe qendror, me fokus forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve të sistemit të drejtësisë për të mitur.
Aktiviteti u përshëndet nga Zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Elona Hoxha, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në garantimin e aksesit të të miturve në drejtësi dhe në ofrimin e shërbimeve sa më efektive për rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës, Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor, si dhe institucione të tjera në nivel qendror e vendor.
Takimi shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave, identifikimin e sfidave dhe diskutimin e hapave konkretë për përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional në funksion të interesit më të mirë të të miturve.