Zv. Ministri i Drejtësisë, Z. Karameta dhe Drejtuesja e QPKMR, Znj. Hasanllari morën pjesë në aktivitetin që u organizua me rastin e festave të 7-8 Marsit, nga të miturit në konflikt me ligjin në Institutin e të Miturve, Kavajë.
Aktiviteti nxorri në pah botën e bukur të këtyre të miturve dhe të rinjve, të cilët folën për zonat nga vinin, kënduan këngë për nënën, lexuan esetë dhe krijimtaritë e tyre letrare, si dhe paraqitën punime të bukura artistike të përgatitura nga vetë ata.
Zv. Ministri, Z. Karameta përshëndeti aktivitetin duke i inkurajuar këta të rinj për të qëndruar në botën e dijes, artit dhe kulturës e për të mos u kthyer më në konflikt me ligjin. Ai siguroi se Ministria e Drejtësisë dhe institucionet e saj për të miturit do të jenë gjithmonë pranë këtyre të miturve në rrugën e tyre drejt rishoqërizimit.
Në fund të aktivitetit u shpërndanë çertifikatat për përfundimin me sukses të kurseve profesionale për disa nga të miturit, të cilët do të riintegrohen në shoqëri me një profesion të ri dhe njohuri të reja.