Këtë javë, në vijim të Programit “Summer School” të zhvilluar nga QPKMR në Institutin e të Miturve në Kavajë, u realizua një aktivitet i veçantë dhe shumë interesant për të miturit, që promovon ndergjegjësimin, njohjen, kuptimin dhe menaxhimin emocional.
Në këtë aktivitet, të miturit u angazhuan në një sesion interaktiv ku secili prej tyre pati mundësinë të flasë mbi raste, situata apo përvoja personale nga jeta e tyre dhe mënyrën se si kanë reaguar dhe shprehur emocionet e tyre.
Gjithashtu, me të miturit u diskutuan dhe u aplikuan disa prej teknikave praktike profesionale, që do t’ju shërbejnë për të përmirësuar aftësitë e tyre të reagimit dhe kontrollit emocional, në mënyrë efektive dhe të shëndetshme.
Ky aktivitet arriti pritshmëritë më të mira, duke ndihmuar të rinjtë të reflektojnë mbi emocionet e tyre, por edhe i inkurajoi ato të krijojnë një “hartë emocionale” dhe të rrisin kapacitetet e tyre të Inteligjencës Emocionale, për të kuptuar dhe menaxhuar më mirë veten, por dhe duke ndërvepruar dhe empatizuar të tjerët rreth tyre.