Parandalimi i kriminalitetit dhe i dhunës tek të miturit dhe të rinjtë në shkolla

Parandalimi i kriminalitetit dhe i dhunës tek të miturit dhe të rinjtë në shkolla
Në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për parandalimin e kriminalitetit dhe të dhunës tek të miturit dhe të rinjtë, u zhvilluan aktivitete informuese dhe ndërgjegjësuese në gjimnazin “Ibrahim Muça” dhe në shkollën 9-vjeçare “Genc Leka”, në Librazhd.
 
Në fokus të këtyre takimeve ishte ndërgjegjësimi i nxënësve mbi pasojat e dhunës, bullizmit dhe sjelljeve në kundërshtim me ligjin, si dhe rëndësia e respektimit të të drejtave të të tjerëve dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve.
Në një kontekst ku përfshirja e të miturve në protesta të dhunshme dhe në situata përplasjesh përbën një shqetësim për shoqërinë, bëhet edhe më e rëndësishme edukimi mbi përgjegjësinë qytetare, respektimin e ligjit dhe të drejtën e çdo të mituri për t’u mbrojtur nga dhuna dhe shfrytëzimi për qëllime të të tjerëve.
Përmes kësaj fushate, QPKMR synon të forcojë rolin e shkollës, familjes dhe institucioneve në parandalimin e sjelljeve të dhunshme, duke nxitur te të miturit dhe të rinjtë kulturën e dialogut, përgjegjësisë dhe bashkëjetesës paqësore.
Të miturit kanë nevojë për mbrojtje, orientim dhe mundësi për t’u shprehur, jo për t’u ekspozuar ndaj dhunës. Parandalimi fillon me ndërgjegjësimin.